Qendra e Botimeve Zyrtare

?
?
?
Publikimi
0
0
Feb
Mar
Apr
May
Jun
2020
Jul
Aug
Sep
Oct
2021
2019
Nov
Dec
Jan
Feb
Mar
Apr
May
Jun
Jul
Aug
Sep
Oct
Nov
Dec
Jan
Feb
Mar
Apr
Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave të përzgjedhjes së organizatave jofitimprurëse, të autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga shteti, që përfitojnë financime nga buxheti i shtetit dhe mënyra e financimit të tyre
  • Nr. i aktit : 110
  • Data e aktit : 06/03/2019
  • Institucioni përgjegjës : Këshilli i Ministrave
  • Fletore Zyrtare nr. : 32
  • Data e publikimit në Fletore Zyrtare : 15/03/2019
  • Fusha e veprimtarisë : Drejtësi
VENDIM
Nr. 110, datë 6.3.2019
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË RREGULLAVE TË PËRZGJEDHJES
SË ORGANIZATAVE JOFITIMPRURËSE, TË AUTORIZUARA PËR OFRIMIN E
NDIHMËS JURIDIKE PARËSORE TË GARANTUAR NGA SHTETI, QË PËRFITOJNË
FINANCIME NGA BUXHETI I SHTETIT DHE MËNYRA E FINANCIMIT TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 15, të ligjit nr. 111/2017, “Për
ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave,
VENDOSI:
1. Organizatat jofitimprurëse, të autorizuara për ofrimin e ndihmës juridike parësore të garantuar nga
shteti (në vijim “organizata jofitimprurëse të autorizuara”) përfitojnë financime nga buxheti i shtetit, pas
një procesi konkurrues dhe transparent përzgjedhjeje, bazuar në procedurat dhe rregullat e përcaktuara
në këtë vendim.
2. Procedurat e përfitimit të financimit të organizatave jofitimprurëse të autorizuara bëhen duke u
bazuar në parimet e mëposhtme:
a) konkurrueshmërisë;
b) trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të organizatave jofitimprurëse të autorizuara, aplikuese
për përfitimin e financimit;
c) transparencës të të gjitha fazave që lidhen me shqyrtimin, vendimmarrjen dhe përzgjedhjen e
organizatave jofitimprurëse të autorizuara;
ç) kritereve të mirëpërcaktuara dhe publike, të cilat do të mundësojnë vlerësimin e propozimeve të
organizatave jofitimprurëse të autorizuara në raport me objektivat dhe prioritetet e mbështetjes
financiare;
d) efektivitetit dhe ekonomizimit në shfrytëzimin e fondeve publike, duke siguruar që të arrihen
objektivat dhe prioritetet e përcaktuara me një kosto sa më të favorshme për realizimin e shërbimit të
synuar;
dh) respektimit të plotë të parimeve të llogaridhënies dhe raportimit në përdorimet e fondeve publike;
e) financimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore për kategoritë e përfitueseve që janë me
prioritet për Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas dhe në interes të përfituesve të ndihmës juridike
parësore të garantuar nga shteti;
ë) ruajtjes së pavarësisë së organizatës jofitimprurëse të autorizuar;
f) parandalimit të konfliktit të interesit, si dhe të çdo aktiviteti tjetër që rrezikon ofrimin me integritet
të ndihmës juridike të garantuar nga shteti.
3. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas planifikon në buxhetin e saj një zë të veçantë për financimin e
organizatave jofitimprurëse të autorizuara dhe harton, në bazë të shumës së miratuar, planin vjetor të
financimit.
4. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, brenda 1 muaji nga miratimi i buxhetit, bën publike në faqen
zyrtare të saj planin vjetor të financimit që përmban:
a) shumën e përfitimit financiar për vitin fiskal;
b) objektivat e përfitimit financiar, sipas nevojave të identifikuara;
c) numrin e përafërt të organizatave jofitimprurëse të autorizuara që mund të përfshihen në procesin e
përzgjedhjes;
ç) kohën e hapjes së thirrjes për aplikime; dhe
d) kohën e fillimit të zbatimit të ofrimit të shërbimit të ndihmës juridike parësore të garantuar nga
shteti.
5. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas njofton, në faqen zyrtare të institucionit dhe pranë Buletinit të
Njoftimeve Zyrtare, çdo fillim viti kalendarik, thirrje të përgjithshme ose gjatë vitit, në raste të veçanta
ose të paparashikuara, për përmbushjen e nevojave të kategorive të caktuara të popullsisë për ndihmë
juridike parësore, duke caktuar:
a) shumën e fondeve financiare në dispozicion;
b) numrin e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që mund të përfitojnë financimin e caktuar;
c) kriteret e përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësojnë organizatat jofitimprurëse të
autorizuara;
ç) listën e dokumenteve të nevojshme për t’u paraqitur;
d) afatin e përfundimit të thirrjes;
dh) të dhëna për mënyrën e dorëzimit të aplikimeve;
e) udhëzime të tjera të nevojshme për plotësimin e aplikimit, të cilat përcaktohen me urdhër të
drejtorit të Ndihmës Juridike Falas dhe që publikohet së bashku me thirrjen.
6. Për t’u kualifikuar për të përfituar financime, organizatat jofitimprurëse të autorizuara duhet të
plotësojnë kriteret e përgjithshme dhe të veçanta, si më poshtë vijon:
a) Kritere të përgjithshme:
i) të kenë marrë autorizimin nga ministri i Drejtësisë për ofrimin e ndihmës juridike parësore të
garantuar nga shteti;
ii) të mos kenë dy burime të njëjta financimi për të njëjtin aktivitet;
iii) të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi që cenon zhvillimin e drejtë të procesit të përzgjedhjes me
drejtorin e Ndihmës Juridike Falas.
b) Kritere të veçanta:
i) projektpropozimin, i cili përmban të dhënat teknike-financiare për ofrimin e shërbimit, qëllimin,
objektivat specifikë, aktivitetet, kalendarin e realizimit, rezultatet e synuara, përfituesit e drejtpërdrejtë;
ii) të dhëna për personelin, duke specifikuar detyrat dhe siguruar jetëshkrimin e tyre;
iii) të dëshmojnë se kanë përvojë në realizimin e shërbimeve të ngjashme, duke siguruar dokumente
dhe të dhëna të realizimit të shërbimeve të ngjashme në të kaluarën, nëse kjo është e domosdoshme,
sipas thirrjes përkatëse;
iv) kërkesa të tjera specifike që mund të jenë të nevojshme për ofrimin e ndihmës juridike parësore,
sipas thirrjes publike të veçantë.
7. Dokumentacioni për vërtetimin e plotësimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta depozitohet
pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Organizata jofitimprurëse e autorizuar duhet të dëshmojë se
i plotëson kriteret e veçanta duke dorëzuar dokumentet përkatëse sipas pikës 6, të këtij vendimi, dhe
thirrjes publike. Në rast të mosplotësimit të një prej kritereve të veçanta, aplikimi konsiderohet i paplotë
dhe, si i tillë, nuk kualifikohet për përfitimin financiar.
8. Pranë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas ngrihet dhe funksionon, me kohë të pjesshme:
a) komisioni vlerësues për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve për financim të organizatave
jofitimprurëse të autorizuara;
b) komisioni i ankimit për shqyrtimin e ankesave për shkelje të qëllimshme të procedurës së
shqyrtimit, të vendimeve për përzgjedhjen e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që përfitojnë
financim, si edhe të masës së financimit.
9. Komisioni vlerësues përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 2 (dy) përfaqësues nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, që mbulojnë çështjet juridike;
b) 1 (një) përfaqësues nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, që mbulon çështjet e financës dhe
buxhetit;
c) (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, që mbulon çështjet e të miturve;
ç) 1 (një) përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, që mbulon çështjet e financës dhe të buxhetit.
Duke shfaqurnga 4
50%